Përshendetja e Rektorit


IMG_5450

Të dashur Studentë!

        Këtë Tetor Universiteti ALDENT hyn në vitin e katërmbëdhjetë të veprimtarisë së tij. Në vitin akademik 2003-2004 ALDENT filloi për herë të parë mësimin si Institucion i Arsimit të Lartë me programin e studimit Laborant Dentar. Gjatë kësaj kohë që nuk është shumë e gjatë për veprimtarinë e një universiteti ne kemi bërë ndryshime që edhe më optimisti vështirë se do ti kishte parashikuar. Nga 70 studentë në vitin e parë sot kemi rreth 1250 studentë, nga 1 program studimi sot janë 8 programe studimi në 5 degë kryesore, si FARMACI, STOMATOLOGJI, INFERMIERI, FIZIOTERAPI, LABORANT DENTAR,TEKNIK LABORATORI MJEKESOR. Në vitin e parë ishin rreth 7 të punësuar, sot ALDENT ka një staf akademik dhe administrativ prej 80 vetash të brendshëm dhe rreth 40 të jashtëm. Nga 2 laboratorë që kishte në vitin 2003 sot ka 28 laboratorë funksionalë të pajisur më aparatura nga më modernet dhe bashkëkohoret. Nga 500 m² në dispozicion të studentëve në vitin e parë sot janë rreth 8700 m² në shërbim të Universitetit me një raport rreth 10 m² për student. Ka ndryshime të rëndësishme në cilësinë e pranimit në universitet e cila është shoqëruar edhe me rritjen e cilësisë së kurrikulave dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Ka vite që ALDENT procedon në bazë të Deklaratës së Bolonjës. Një pjesë e mirë e stafit akademik të Universitetit ALDENT janë më tituj dhe grada shkencore, disa prej tyre të fituara në universitete prestigjioze perëndimore. Pranë universitetit ALDENT zhvillohen shumë konferenca, workshope e trajnime nga profesorë e specialistë nga e gjithë bota si nga Italia, Gjermania, Sh.B.A, Koreja e Jugut etj. Gjatë kësaj periudhe Universiteti ALDENT i është nënshtruar një sërë akreditimesh institucionale dhe të programeve të studimit të cilat i ka kaluar me shumë sukses. Tashmë arsimi i lartë shqiptar po hyn në një fazë të re, në fazën e zhvillimit cilësor të tij. Në këtë kuadër ne jemi bërë pjesë e diskutimit të draftit të reformës arsimore dhe ligjit të arsimit të lartë ku kemi dhënë mendimet tona për të arritur një stad të ri zhvillimi në të ardhmen. Jemi të ndërgjegjshëm se përgjegjësi të tjera edhe më të mëdha na presin, por po ashtu jemi të përgatitur që të gjithë së bashku prindër e student, staf akademik e ndihmës të punojmë që Universiteti ALDENT të rritet e zhvillohet edhe më shumë në të ardhmen duke ruajtur profilin e tij si një institucion lider në Arsimin e Lartë Mjekësor për të cilin ai është specializuar që në fillim.