Historiku


Themeluesi i Universitetit ALDENT

Universiteti ALDENT është themeluar nga Prof. Dr. Adem Alushi, i cili ka përfunduar në vitin 1981 Fakultetin e Mjeksise të Universitetit të Tiranës me “Medaljen e Artë”. Ai ka një eksperiencë mbi 25 vjecare në mësimdhënie në fakultetin e mjekësisë. Ka bërë një sërë kualifikimesh të ndryshme si në France, Gjermani, SH.B.A etj. Gjithashtu është edhe autor librash, i mbi 30 artikujve dhe rreth 50 referimesh brenda e jashtë vendit. Eksperiencën e gjatë dhe të vyer që ka krijuar në këto vite pune , dëshiron ta transmetojë tek studentët e këtij universiteti.

Falë përvojës shumëvjeçare të themeluesit të këtij universiteti si dhe përkushtimit të stafit akademik, ky institucion beson se do të ruajë emrin e mirë të krijuar edhe në të ardhmen. Kjo siguri shtohet edhe më shumë duke pasur parasysh rezultatet e arritura nga të diplomuarit e parë si dhe cilësinë e studentëve që studiojnë në këtë universitet. Me disa programe studimi si: Laborant i Lartë Dentar, Farmaci, Stomatologji, Fizioterapi,Infermieri, Aldent është zgjedhja e duhur për një te ardhme te sigurte.

Kur nisi ALDENT?

Me Urdhër Nr.76, dt.03/04/2003, të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, shoqëria “Aldent” SHPK hap kursin parauniversitar 2-vjeçar për Laborant Dentar.

Pas tre vitesh eksperience me këtë kurs, me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 673,Dt 22.09 2006 jepet leja për hapjen e Shkollës së Lartë Universitare jopublike “Aldent”, e cila formon specialistë të lartë në drejtimin “Laborant i Larte Dentar”, program i ciklit të parë të studimit, me kohëzgjatje 3 vite akademike, me sistemin e studimeve me kohë të plotë.

Dy vjet më vonë me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr 257, datë 27.02.2008 është licencuar dhe programi i integruar i studimit të ciklit të dytë në Stomatologji (DIND -5 vite akademike) .